Në Spitalin Klinik të Tetovës është realizuar me sukses trajtimi kirurgjikal i karcinomit të prostatës – një ndër operacionet më të ndërlikuara në fushën e Urologjisë, që zakonisht kryhen në qendrat më të avancuara dhe referente urologjike.
Intervenimi është kryer nga Kirurgu – Urologu Dr. spec. Florin Deari, me asistimin e drejtorit të Klinikës Universitare të Urologjisë “Nënë Tereza” – Shkup, Bashkëpunëtor shkencor Dr. med. sci. Bashkim Shabani, Kirurg – Urolog. Pacienti, një 70-vjeçar, ishte diagnostikuar me karcinom të prostatës nëpërmjet biopsisë së realizuar në Spitalin Klinik të Tetovës, ku u bë edhe përgatitja dhe ndjekja e procedurave para dhe pas operacionit.
Ky sukses është dëshmi e përkushtimit profesional dhe bashkëpunimit institucional për ofrimin e trajtimeve të avancuara në rajon.
Mirënjohje e veçantë i drejtohet drejtorit të Spitalit Klinik të Tetovës, Dr.spec. Erzen Elezi, për mbështetjen e vazhdueshme dhe krijimin e kushteve optimale për zhvillimin e shërbimeve shëndetësore, duke siguruar që Spitali Klinik i Tetovës të vazhdojë të jetë një vend ku pacienti është gjithmonë në qendër të vëmendjes.







